Nëse jeni të lodhur nga rritja e çmimeve të karburantit dhe po mendoni për përfitimet e një mjeti elektrik, shanset janë që nuk jeni vetëm.
Por, edhe pse kalimi në një automjet elektrik mund të duket si një gjë e pritur, ka disa pengesa të rëndësishme – duke përfshirë problemet e reja të shkaktuara nga konflikti në Ukrainë – me të cilat përballet tani industria e automjeteve elektrike, që do të thotë se kërkesa ka të ngjarë të tejkalojë ofertën për momentin.
Interesi për automjete elektrike
Me çmimet e naftës që shkojnë në rreth 245 lekë/litër këto ditë në Shqipëri, automjetet elektrike kanë filluar të duken shumë më tërheqëse për këdo që dëshiron të blejë një makinë. Por, një kombinim i kufizimeve të zinxhirit të furnizimit, mungesa globale e çipave, çmimet më të larta se mesatarja dhe inventari i ulët në tregtarët do të komplotojnë për t'i mbajtur automjetet elektrike jashtë mundësive për shumicën e njerëzve.
Interesi për kalimin nga karburanti në energji elektrike është në kulmin e të gjithë kohërave. Faqja e blerjeve të makinave “Edmunds” raporton se numri i njerëzve që kërkonin për automjete hibride ose elektrike u rrit me 39 përqind nga shkurti në mars dhe 18 përqind gjatë javëve të fundit të prillit 2022.
Çmimet e karburantit ishin tashmë të larta (për një sërë arsyesh) përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Këto çmime më të larta do të zgjasin disi.
Është e vështirë të matet nëse kërkesa e menjëhershme për automjetet elektrike është rritur si rezultat i rritjes së çmimeve të karburantit gjatë muajit të kaluar, por disa shifra fillestare sugjerojnë se mund të jetë kështu.
Makinat elektrike mund të jenë të vështira për t’u gjetur në afat të shkurtër. Ashtu si në thelb çdo gjë mesatarisht e shtrenjtë dhe e ndërlikuar për t’u bërë që mund të dëshironi të blini këto ditë, nga mobiljet tek pajisjet elektronike, automjetet elektrike po vuajnë të njëjtin zinxhir të përgjithshëm furnizimi dhe mungesa të fuqisë punëtore që prekin kaq shumë industri.
Çmimet e metaleve të baterive
Ekziston një tjetër pengesë e madhe, specifike për automjetet elektrike, që mund të bëhet edhe më e ndërlikuar nga konflikti në Ukrainë: metalet e çmuara dhe lëndët e tjera të para që përfshihen në bateritë e automjeteve elektrike. Elementet si litiumi, kobalti dhe nikeli janë të gjithë kyç për prodhimin e teknologjisë që i bën automjetet elektrike të lëvizin. Këto tashmë po përballeshin me vështirësi të mëdha të furnizimit më parë, falë revolucionit të energjisë së pastër: kërkesa vetëm për litium parashikohet të rritet 70 herë deri në vitin 2040.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë furnizues ose tregtarë të rëndësishëm të shumë prej këtyre elementeve. Ndërsa depozitat aktuale të nikelit në Rusi janë të vogla, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të nikelit është një kompani ruse, e cila ende nuk është përballur me sanksione. Megjithatë, ideja e shkëputjes së kësaj kompanie nga tregu global ishte e mjaftueshme për t'i çuar blerësit në furi dhe çmimet globale të nikelit u dyfishuan brenda një dite në fillim të këtij muaji. Pak para luftës, Ukraina filloi të mbante ankande për të zhvilluar rezervat e saj të litiumit, kobaltit, bakrit dhe nikelit.
“Lëndët e para do të jenë një problem për vitet në vijim,” tha për gazetën “New York Times” Markus Djusman, Shefi Ekzekutiv i “Audi”-t. Prodhuesit e automjeteve dhe ekspertët thonë se tensionet e përshkallëzuara në Ukrainë mund të përshpejtojnë zhvillimin e metaleve diku tjetër, ndërsa kërkesa për makina elektrike rritet. Por, meqenëse kërkon kohë për të zhvilluar burime të reja të këtyre mallrave të rëndësishme - të cilat gjithashtu kanë çështjet e tyre serioze mjedisore dhe të drejtësisë - industria po shikon një periudhë përshtatjeje të gjatë, ndoshta të dhimbshme.