“Njerëzit e AILend” është rubrika jonë më e re për t’u njohur më mirë me pjesëtarët e skuadrës sonë.
Për intervistën e parë kemi zgjedhur Nensin, njërën nga zhvillueset tona Full-Stack, e ngarkuar me punë si projektim, zhvillim dhe mirëmbajtje të platformave. Përtej kësaj, është edhe “ndërgjegjja” e kompanisë (gjithmonë ka diçka për të thënë për secilin nga ne) që nga janari i vitit 2021 kur na është bashkuar dhe ka si “detyrë” edhe përgatitjen e lojërave në grup sa herë që mblidhemi bashkë.
Nga pyetjet më poshtë do të përpiqemi të krijojmë një ide më të qartë për Nensin.
Si preferon ta nisësh ditën?
Dita ime nis rreth orës 07:30. Bëhem gati, ha mengjes, vendos kufjet dhe shtyp play ne “Spotify”. Pjesa e preferuar është kur marr biçikleten dhe përshkoj rrugën nga shtëpia për në zyrë. Teksa kaloj përgjatë makinave dhe njerëzve që po ashtu sapo kane nisur ditën, mundësisht me kënge të tipit “Dancing in the city” te Marshall Hain në sfond, kur mbërrij ndihem e mbushur me energji pozitive. Pershëndes grupin, pi një kafe në ballkonin e zyrës dhe më pas të gjithë mblidhemi së bashku në 9 të mëngjesit për daily-n e radhës.
Çfarë të motivon në punë?
Nuk e kam menduar asnjëherë punën si diçka të cilës duhet t’i gjej motivim specifik për ta bërë. E quaj pjese te stilit tim te jetesës dhe çdo gjë vjen natyrshëm. Mendoj se ambienti i krijuar në zyrë sigurisht ndikon që unë ta shoh të tillë. Patjetër që përgjegjësia dhe afati që vjen me çdo punë që marr përsipër shpeshherë stimulon edhe produktivitetin e ditës. Patjetër që ka edhe ditë kur e vetmja gjë që më vjen të bëj është të dëgjoj muzikë ose të lexoj “New Yorker”. Megjithatë, ajo çka më përmbush më së shumti është kur ne ndalim herë pas here, vlerësojmë çfare kemi arritur të gjithë si grup, sa është rritur secili prej nesh si teknikisht ashtu edhe personalisht dhe sa shumë ka ende për të bërë.
Cila është një gjë që dëshiroje të dije kur fillove të punoje në AILend dhe çfarë këshille do t'i jepje një fillestari?
“Është okay të mendosh që nuk di mjaftueshëm, për sa kohë do të mësosh.” Te paktën në botën e programimit dhe teknologjisë, mendoj se ka një bombardim të modeleve të suksesshme, e sidomos të një moshe shumë të re. Sa është motivuese, kjo mund te behet dhe intimiduese. Për fat të mirë, puna ime e parë në këtë profesion ka qenë pranë AILend dhe jam ndjerë e mikpritur të shfaq aq sa di, pa trysninë për të katapultuar veten në një "senior" brenda natës. Mbaj mend intervistën e parë me Arsidin, në të cilën i theksova “Shiko, unë nuk kam eksperiencë të mëparshme, por mendoj që mund të mesoj”, diçka të cilën kuptoj që akoma nuk e besoja as vetë. Edhe pse task-un e intervistës e perfundova me sukses dhe u pranova në punë, ende kisha rrugë për të bindur veten që mund t’ia dal kësaj bote. Si e bëra? Me shumë mbështetje nga i gjithë grupi, duke pyetur sa më shumë dhe mbi të gjitha duke kuptuar që gjërat janë më të thjeshta se ç’duken, mjaft që t’i nis.
Gjithmonë do të ketë ndryshime të papritura që duhet të ndodhin në një projekt. Si i përballon këto surpriza?
Këtë do e quaja nga ato tipet e aftësive që do të jenë gjithnjë “work-in-progress”. Me çdo sfidë të re që del në projekte të ndryshme, mësoj diçka dhe kuptoj që efektiviteti për të dorëzuar një punë ka gjithmonë vend për përmirësim. Natyrshëm, sigurisht që ka dy rrugë kur bëhet fjalë për të papritura që mund të dalin gjatë rrugës. Së pari do të përpiqem ta zgjidh vete. Nëse është diçka tëresisht e re, do të bëj research-in tim. Nëse nuk ka kohë për këtë, atëherë do t’i drejtohem skuadrës, me gjasat që dikush e ka hasur diçka të ngjashme. E rëndesishme është ta mas veten në çdo projekt, ta pervetësoj atë që nuk kam ditur dhe ndërkohë mos të humbas rrugën për të arritur qëllimin kryesor.
Si të pëlqen ta kalosh kohën jashtë punës?
Jam njeri social dhe e shijoj kohën në prani të njerëzve më të afërt. Përpiqem të dal jashte Tirane kur mundem dhe të bëj diçka ndryshe fundjavave. Herë të tjera preferoj ta kaloj vetëm, me biçikletë, duke dëgjuar audiobook-e, ose në natyrë pa asnjë interferim nga bota e jashtme.